Saturday, February 21, 2015

Ekografia gjatë shtatzënisë


Çfarë është ekzaminimi ekografik?

Ekzaminimi ekografik është një procedurë e sigurt, joinvazive, që ka një shkallë të lartë pranueshmërie nga ana e pacientit, nëpërmjet të cilës ne përftojmë informacione të shumta në të mirë të vlerësimit të nënës dhe të bebit. Procedura standarte e kryerjes së një ekzaminimi ekografik konsiston në: pozicionimin e gruas shtatzënë në shtratin e ekografisë, aplikimin e një solucioni (xhel) që shërben si përcjellës për ultratingujt me frekuencë të lartë. Më tej sonda vendoset mbi barkun e gruas dhe valët e ultratingujve përshkojnë indet, si indet e buta dhe të forta dhe kthehen mbrapa duke dhënë në ekran imazhin bardhë e zi të fetusit.
Ekografia mund të kryhet në çdo fazë të zhvillimit të shtatzënisë dhe nuk ekziston një numër standart ekzaminimesh ekografike rutinë. Pritshmëritë ndaj një ekzaminimi ekografik janë në varësi të periudhës kur kryen këto ekzaminime në raport me moshën e shtatzënisë.

Tremujori i parë

Vlerësimi ekografik në tremujorin e parë të shtatzënisë ka si qëllim kryesor konfirmimin e shtatzënisë, përcaktimin nëse shtatzënia është e vendosur brenda në mitër apo jashtë saj si dhe nëse embioni është gjallë, nëpërmjet konstatimit të rrahjeve të zemrës. Zakonisht ekzaminimi i hershëm ekografik realizohet nëpërmjet një sonde transvaginale, për të mundësuar një pamje sa më të qartë. Gjithashtu nëpërmjet ekzaminimit ekografik të tremujorit të parë mund të përcaktohet edhe numri i embrioneve/fetuseve, vlerësimi i moshës së shtatzënisë (matja e gjatësisë kokë-trup ose e diametrit mesatar të dhomëzës së shtatzënisë), përcaktimi i pozicionit të placentës, vlerësimi i uterusit dhe vezoreve, vlerësimi për disa prej anomalive strukturale që mund të konstatohen që në këtë periudhë dhe në mënyrë indirekte, nëpërmjet vlerësimit të markuesve ekografikë të aneuploidisë, mund të vlerësojmë rrezikun për anomali gjenetike të bebit (Kjo quhet Ekografia Morfologjike Niveli I).

Tremujori i dytë

Ekzaminimi ekografik në tremujorin e dytë konsiston në vlerësimin e detajuar të anatomisë fetale dhe të anomalive strukturore të mundshme, që konsiderohet si ekzaminimi më i rëndësishëm i kësaj periudhe dhe preferohet të kryhet rreth javëve 18-22 të shtatzënisë (Kjo quhet Ekografia Morfologjike Niveli II). Gjithashtu ekzaminimi ekografik i tremujorit të dytë vlerëson rritjen dhe mirëqënien fetale, sasinë e likidit amniotik (shtimin apo pakësimin e tij) dhe konfirmon shtatzënitë me shumë fetuse (numrin e placentave, numrin e sakuseve amniotikë).

Tremujori i tretë

Në tremujorin e tretë ekzaminimi ekografik vlerëson mirëqënien dhe lëvizjet e bebit, përcakton pozicionin e tij si dhe të placentës, vlerëson moshën e shtatzënisë dhe peshën e fetusit, likidin amniotik dhe në disa raste edhe ndonjë keqformim të fetusit.

No comments:

Post a Comment