Saturday, February 21, 2015

Këshillimi dhe trajtimi i problemeve të menopauzës – një fillim i ri!


Menopauza është një pjesë e natyrshme e jetës së femrës. Duke ndërmarrë përpjekjet  duhura si dhe duke ndryshuar disa karakteristika në mënyrën e jetesës, dietën dhe aktivitetin fizik gratë mund të jenë të përgatitura për një cilësi jete më të mirë gjatë periudhës së menopauzës.
Edhe në epokën e internetit, ka mistere dhe dizinformacion rreth menopauzës. Ne ju ndihmojmë që të qartësoni faktet, duke ju sugjeruar dhe rekomanduar në lidhje me mënyrën e ushqyerjes, aktivitetin fizik, ndryshimet në mënyrën e jetesës si dhe duke ju ndihmuar të përballeni me ndryshimet hormonale dhe pasojat e tyre.
Gjatë menopauzës është e rëndësishme që gratë të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të identifikojnë rreziqet e mundshme ndaj shëndetit, përmes ekzaminimeve të tilla si mamografia dhe matja e densitetit kockor. Të gjithë këta ekzaminime synojnë identifikimin e dhe trajtimin e patologjive, për të minimizuar rreziqet dhe për një veprimtari jetësore aktive dhe të shëndetshme.

Cilat janë përfitimet e histeroskopisë?


Në krahasim me procedurat e tjera më invazive, histeroskopia ofron kohëqëndrim spitalor dhe rekuperim më të shkurtër, nevojë më e pakët për trajtimin e dhimbjeve, shmang heqjen e mitrës dhe kirurgjinë me bark të hapur.

Histeroskopia diagnostike dhe operative


Çfarë është histeroskopia?
Histeroskopia është një procedurë që lejon pamjen e brendshme të uterusit, për të diagnostikuar dhe trajtuar problemet e mundshme të kësaj hapësire. Histeroskopi është një tub i hollë i pajisur me një burim drite që futet në vaginë dhe më pas në brendësi të uterusit. Kjo procedurë mund të jetë diagnostike dhe operative. Histeroskopia diagnostike përdoret për diagnozën e problemeve të uterusit. Histeroskopia operative përdoret për korrigjimin e situatave jonormale të zbuluara gjatë histeroskopisë diagnostike. Përdorimet e histeroskopisë operatore janë: heqja e polipeve dhe fibroideve, aderencave (ngjitjeve në brendësi të hapësirës së mitrës), septumeve (perdeve ndarëse). Gjithashtu histeroskopia mund të ndihmojë në zbulimin e shkakut të hemorragjisë së çrregullt dhe hemorragjisë jonormale pas menopauzës.

Cilat gra janë më të rrezikuara për të patur rezultate anormale në Pap Test?


HPV: Faktori kryesor i rrezikut është infeksioni i HPV (Human Papilloma Virus). Mbi 95% e kancerit cervikal është i lidhur me këtë infeksion.
Duhani: Një faktor tjetër rreziku për ndryshimet premalinje të qafës së mitrës është duhanpirja. Shumë gra nuk e vlerësojnë faktin se pirja e duhanit është e lidhur ngushtësisht me kancerin cervikal, duke e rritur rrezikun 2-4 herë.
Dobësimi i sistemit imunitar: Gratë me dobësim të sistemit imunitar të organizmit janë më të rrezikuara për ndryshime prekanceroze në qafën e mitrës.
Medikamentet: Gratë nënat e të cilave kanë qënë të ekspozuara ndaj dietilstilbestrolit gjatë shtatzënisë janë gjithashtu të rrezikuara

Kush duhet të kryejë Pap Test?


Ky ekzaminim duhet t’u ofrohet të gjitha femrave 3 vjet pas fillimit të aktivitetit seksual ose jo më vonë se mosha 21 vjeç. Është një ekzaminim që duhet të kryhet çdo vit deri në moshën 30-vjeçare dhe, nëse kemi 3 rezultate të një pas njëshme normale, atëherë ai mund të kryhet çdo 2-3 vjet. Pap testi nuk kryhet në gratë të cilat kanë hequr mitrën bashkë me qafën e mitrës për arsye të tjera shëndetësore, si dhe në gratë në moshën mbi 70 vjeç me 3 rezultate normale të një pasnjëshme.

VIZITA DHE EKOGRAFIA GJINEKOLOGJIKE


Gjinekologjia është një specialitet që merret me shëndetin e sistemit riprodhues femëror (uterusi, vagina dhe vezoret), që synon vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të ndryshme të aparatit riprodhues. Kur diskutohet për problemet gjinekologjike, parandalimi është metoda më e mirë dhe më e sigurt dhe kjo mundësohet nëpërmjet planifikimit të vizitave vjetore me gjinekologun. Pothuajse të gjithë gjinekologët e kohëve të sotme janë gjithashtu edhe obstetër sepse midis këtyre dy specialiteteve ka shumë pika takimi.
Ekografia gjinekologjike vlerëson nga ana strukturale organet pelvike të femrës si uterusi, vezoret, tubat e Fallopit, fshikëzën e urinës si dhe çdo strukturë tjetër të kësaj pjese të trupit, qoftë normale apo patologjike. Imazhet ekografike mund të përftohen nëpërmjet sondës abdominale, zakonisht ne fshikëzën e urinës të mbushur (e cila shërben si një dritare akustike për një pamje më të mirë të organeve pelvike), ose nëpërmjet sondës vaginale, e cila ofron një rezolucion më të lartë të imazhit të përftuar. Ekzaminimi ekografik nuk është i dhimbshëm dhe as i dëmshëm.

Çfarë është aborti i përsëritur (rekurent)?


Aborti rekurent përkufizohet si humbja e 3 ose më shumë shtatzënive të njëpasnjëshme, para arritjes së jetueshmërisë së fetusit (22 javë). Ky problem prek 1% të gjithë grave. Faktorët etiologjikë të abortit rekurent, të përmbledhur shkurtimisht janë
•    Anomalitë anatomike të aparatit gjenital (anomalitë e hapësirës brenda uterusit)
•    Sindromi i antitrupave antifosfolipidë (Që shkaktojnë tendencë të rritur për koagulim të gjakut dhe formim trombesh)
•    Sëmundje sistemike të nënës (Diabeti i sheqerit, çrregullimet e tiroideve)
•    Histori për humbje të shtatzënisë gjatë tremujorit të dytë ose të tretë, si pasojë e plasjes së hershme të membranave ose dilatacioni i padhimbshëm i qafës së mitrës (pamjaftueshmëria cervikale)
•    Sëmundje infektive të nënës (Vaginoza bakteriale, apo infeksione të tjera)
•    Anomalitë familjare të koagulimit të gjakut (Faktori V Leyden)
•    Anomali të kariotipit të njërit apo të dy partnerëve
Duke marrë në konsideratë shkakësinë, që është mjaft e gjerë, edhe plani i menaxhimit të abortit rekurent konsiston në investigimin për zbulimin e faktorëve të mundshëm dhe më tej në trajtimin në varësi të shkakut.

Diagnoza para lindjes në shtatzënitë multiple


Nëse kemi të bëjmë me një shtatzëni binjake, rreziku për një anomali kromozomike, në krahasim me një shtatzëni me një fetus të vetëm, është më i lartë. Për marrjen e mostrave në shtatzënitë multiple përdoren si CVS-ja ashtu edhe amniocenteza. Teknika e amniocentezës përfshin vizualizimin e membranës ndarëse dhe identifikimin e një xhepi me likid amniotik në çdo dhomëz. Për t’u siguruar që mostrat merren te të dyja dhomat, pas heqjes së likidit nga dhomëza e parë injektohet 0.5 ml solucion kontrasti (p.sh., indigokarminë). Aspirimi i likidit të pastër nga dhomëza e dytë siguron vendosjen e saktë të tij.
Gjatë CVS procedura kërkon përcaktim të kujdesshëm ekografik të pozicionit të placentës, sepse studimet me kontrast për të fiksuar mostrën nuk janë të mundshme. Vendosja e majës së pajisjes ages ose kateterit pranë vendit ku futet kordoni mund të minimizojë mundësinë e marrjes së mostrës dy herë te i njëjti fetus. Në marrjen e mostrës gjatë CVS-së, në shtatzënitë multiple, është raportuar një rrezik gabimi prej më pak se 2%.

Marrja e mostrave të vileve koriale (CVS)

Në marrjen e vileve korale (CVS), gjatë javëve 10-13të të shtatzënisë, kryhet biopsia e placentës në zhvillim. Avantazhi kryesor i CVS-së është se ajo mund të kryhet më herët gjatë shtatzënisë, duke mundësuar kështu një shkurtim të periudhës së ankthit për pacientet e rrezikuara. Rezultatet e hershme lejojnë gjithashtu ndërprerjen e shtatzënisë gjatë tremujorit të parë, një procedurë kjo më e lehtë dhe më e sigurt sesa aborti në tremujorin e dytë.

Cilat janë teknikat për diagnozën para lindjes?


Amniocenteza
Kjo procedurë kryhet gjatë javëve 15-20të të shtatzënisë. Gjatë amniocentezës merret një mostër likidi amniotik (zakonisht 20 ml) duke futur përmes barkut të nënës dhe murit të uterusit një age të hollë dhe të gjatë, saktësisht në hapësirën amniotike dhe e gjithë procedura duhet të kryhet nën drejtim ekografik. Likidi amniotik përmban qeliza fetale të deskuamuara, të cilat mund të vendosen në kultura dhe mund t’u përcaktohet kariotipi, ose mund të përdoren për vlerësime të shumta metabolike, apo për marrjen e ADN-së në rast se ka një të dhënë specifike.

Diagnoza para lindjes


Qëllimi kryesor i diagnozës para lindjes është t’u ofrojë informacion familjeve në rrezik, në mënyrë që ato të bëjnë zgjedhjet e duhura gjatë shtatzënisë. Përfitimet madhore të diagnozës para lindjes përfshijnë:
•    Ofrimin e sigurisë ndaj familjeve në rrezik nëse rezultatet janë normale
•    Informacionin për rrezikun që paraqitet te çiftet të cilët pa këtë informacion nuk do të lindnin një fëmijë
•    Mundësinë që çiftet të përgatiten për lindjen e një fëmije të prekur
•    Lejimin e personelit shëndetësor të planifikojnë lindjen dhe kujdesin pas lindjes të një fetusi të prekur Sigurimin e informacionit mbi rrezikun për çiftet te të cilët një alternativë e mundshme është ndërprerja e shtatzënisë.

Cila është vlera e testeve depistuese për anomali gjenetike?


Nëse do t’ju referoheshim studimeve dhe statistikave, 2-3% e të gjithë të porsalindurve kanë një keqformim të lindur. Këto defekte janë rezultat i ndërveprimit të faktorëve gjenetikë (anomalitë e numrit të kromozomeve apo të gjeneve të veçantë) me mjedisin në të cilin zhvillohet embrioni (agjentët teratogjenë, infeksionet e nënës, medikamentet, faktorët fizikë, etj).
Shpeshtësia e anomalive të numrit të kromozomeve ndryshon në varësi të moshës së nënës dhe të moshës së fetusit. Në moshat më të reja të shtatzënisë dhe në shtatzënitë e pajetueshme, shpeshësia e anomalive të numrit të kromozomeve rritet. Duke qënë se procedurat diagnostike për anomalitë gjenetike të fetusit janë invazive dhe mbartin rrezikun e humbjes së shtatzënisë apo të problemeve të tjera, depistimi në tremujorin e dytë nëpërmjet metodave joinvazive, të tilla si markuesit serikë dhe ekografia ka përftuar vlera gjithnjë e në rritje, duke iu kundërvënë me baza shkencore, të provuara në studime të shumta praktikës së ofrimit rutinë të kontrolleve invazive si amniocenteza, marrja e vileve koriale apo kordocenteza. Për këtë arsye, janë zhvilluar teste të ndryshme depistuese që synojnë përcaktimin e rrezikut për anomali gjenetike të embrionit/fetusit.

Diagnoza para lindjes


Këshillimi i prindërve para zhvillimit të procedurave diagnostike
Prindërit që marrin në konsideratë diagnozën para lindjes kanë nevojë për informacion që t’u japë atyre mundësinë të kuptojnë situatën dhe të japin (ose jo) leje për procedura diagnostike para lindjes. Këshillimi gjenetik para kryerjes së procedurave të tilla zakonisht synon:
•    Të përcaktojë mundësinë që fetusi do të jetë i prekur
•    Natyrën dhe pasojat e çrregullimit
•    Rreziqet dhe kufizimet e procedurave që do të kryhen
•    Kohën që nevojitet para sigurimit të një raporti mbi rezultatet e testit
•    Mundësinë e ndërlikimeve të procedurave si p.sh., dështimi i një përpjekje për përftimin e mostrës së duhur, ose rezultatet jopërfundimtare.
Zgjedhjet e veprimit mbi rezultatet jonormale diskutohen dhe theksohet se, kryerja e diagnozës para lindjes nuk i detyron prindërit në asnjë rrethanë që të ndërpresin shtatzëninë nëse zbulohet prania e një anomalie.

Sa e saktë është ekografia në përcaktimin e moshës së shtatzënisë?


Zakonisht në praktikën obstetrikale mosha e shtatzënisë përcaktohet duke u bazuar në ditën e parë të menstruacioneve të fundit të gruas shtatzënë. Megjithatë, në situata të veçanta (kur nuk mbahet mend kjo datë ose kur menstruacionet nuk janë të rregullta), përcaktimi i moshës së shtatzënisë bazohet në ekzaminimin ekografik. Saktësia e përcaktimit të moshës së shtatzënisë me ekografi është më e madhe sa më e hershme të jetë shtatzënia në momentin e ekografisë. Kjo saktësi ulet me rritjen e moshës së shtatzënisë dhe sa më i madh të jetë fetusi aq më i pasigurt është ky ekzaminim për përcaktimin e moshës së shtatzënisë.

Ekografia gjatë shtatzënisë


Çfarë është ekzaminimi ekografik?

Ekzaminimi ekografik është një procedurë e sigurt, joinvazive, që ka një shkallë të lartë pranueshmërie nga ana e pacientit, nëpërmjet të cilës ne përftojmë informacione të shumta në të mirë të vlerësimit të nënës dhe të bebit. Procedura standarte e kryerjes së një ekzaminimi ekografik konsiston në: pozicionimin e gruas shtatzënë në shtratin e ekografisë, aplikimin e një solucioni (xhel) që shërben si përcjellës për ultratingujt me frekuencë të lartë. Më tej sonda vendoset mbi barkun e gruas dhe valët e ultratingujve përshkojnë indet, si indet e buta dhe të forta dhe kthehen mbrapa duke dhënë në ekran imazhin bardhë e zi të fetusit.
Ekografia mund të kryhet në çdo fazë të zhvillimit të shtatzënisë dhe nuk ekziston një numër standart ekzaminimesh ekografike rutinë. Pritshmëritë ndaj një ekzaminimi ekografik janë në varësi të periudhës kur kryen këto ekzaminime në raport me moshën e shtatzënisë.

Tremujori i parë

Vlerësimi ekografik në tremujorin e parë të shtatzënisë ka si qëllim kryesor konfirmimin e shtatzënisë, përcaktimin nëse shtatzënia është e vendosur brenda në mitër apo jashtë saj si dhe nëse embioni është gjallë, nëpërmjet konstatimit të rrahjeve të zemrës. Zakonisht ekzaminimi i hershëm ekografik realizohet nëpërmjet një sonde transvaginale, për të mundësuar një pamje sa më të qartë. Gjithashtu nëpërmjet ekzaminimit ekografik të tremujorit të parë mund të përcaktohet edhe numri i embrioneve/fetuseve, vlerësimi i moshës së shtatzënisë (matja e gjatësisë kokë-trup ose e diametrit mesatar të dhomëzës së shtatzënisë), përcaktimi i pozicionit të placentës, vlerësimi i uterusit dhe vezoreve, vlerësimi për disa prej anomalive strukturale që mund të konstatohen që në këtë periudhë dhe në mënyrë indirekte, nëpërmjet vlerësimit të markuesve ekografikë të aneuploidisë, mund të vlerësojmë rrezikun për anomali gjenetike të bebit (Kjo quhet Ekografia Morfologjike Niveli I).

Tremujori i dytë

Ekzaminimi ekografik në tremujorin e dytë konsiston në vlerësimin e detajuar të anatomisë fetale dhe të anomalive strukturore të mundshme, që konsiderohet si ekzaminimi më i rëndësishëm i kësaj periudhe dhe preferohet të kryhet rreth javëve 18-22 të shtatzënisë (Kjo quhet Ekografia Morfologjike Niveli II). Gjithashtu ekzaminimi ekografik i tremujorit të dytë vlerëson rritjen dhe mirëqënien fetale, sasinë e likidit amniotik (shtimin apo pakësimin e tij) dhe konfirmon shtatzënitë me shumë fetuse (numrin e placentave, numrin e sakuseve amniotikë).

Tremujori i tretë

Në tremujorin e tretë ekzaminimi ekografik vlerëson mirëqënien dhe lëvizjet e bebit, përcakton pozicionin e tij si dhe të placentës, vlerëson moshën e shtatzënisë dhe peshën e fetusit, likidin amniotik dhe në disa raste edhe ndonjë keqformim të fetusit.

Analiza e urinës

Teston praninë e infeksionit; mund të zbulojë një diabet të mundshëm (glukozuria – prania e glukozës në urinë); prania e albuminës në shtatzëni është këmbanë alarmi për preeklampsinë (tensioni i lartë bashkë me proteinurinë), por mund të vije dhe si rezultat i problemeve të veshkave apo infeksioneve të traktit urinar; prania e ketoneve në urinë tregon për marrje të pakët të sheqernave në dietë.

HIV/AIDS

Depistimi për HIV i grave shtatzëna konsiderohet si progresi më i madh i kontrollit të infeksionit, sepse menaxhimi i rasteve pozitivë rezulton në një reduktim thelbësor të transmetimit vertikal të infeksionit tek i porsalinduri dhe në vitet e parë të jetës.
Glicemia

Pap-Testi

Çfarë është Pap Testi?

PAP Testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të vëzhguar nga afër qelizat e organit genital femëror. Ky test mund të tregojë nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jo normale apo kancer te qafës së mitrës. 

Përse është kaq i rëndësishëm ky test?


Bërja e rregullt e tij zbulon qelizat jo normale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer në qafën e mitrës. Ai mund të kapet në kohë, kështu trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë të mëdha. 

Pse kryhet testimi për HBV?

Nënat të cilat janë mbartëse kronike të HBV ua transmetojnë këtë infeksion në një përqindje të konsiderueshme fëmijëve të tyre gjatë apo pas lindjes dhe shumë prej këtyre fëmijëve bëhen mbartës kronikë të infeksionit, që rezulton në zhvillimin e formave të ndryshme të sëmundjeve të mëlçisë. Fëmijëve të lindur nga nënat e infektuara nga ky virus duhet t’u jepet imunoglobulina e hepatitit B si dhe të vaksinohen, për të ulur maksimalisht rrezikun e transmetimit vertikal.

Sindromi i rubeolës kongenitale

Është një dukuri e rrallë në kohët e sotme, por duke marrë në konsideratë pasojat mjaft të dëmshme të saj, për të mbajtur nën kontroll këtë infeksion, indikohet mbikqyrja dhe vaksinimi i popullatës. Nënat seronegative duhet të imunizohen pas lindjes.

Teste serologjike të veçanta/testet infektive

Këto teste rekomandohen për gratë shtatzëna të cilat janë të ekspozuara ndaj faktorëve të rrezikut ndaj tyre. Në popullatën e grave me rrezik të lartë për këto sëmundje, realizimi i këtyre testeve është mjaft përfitues për nënën por më tepër për fëmijën e saj, duke krijuar mundësinë e parandalimit të transmetimit vertikal të infeksionit, apo për t’u këshilluar për pritshmërinë e shtatzënisë në vijim.

Grupi i gjakut dhe faktori rhezus

Në një përqindje të konsiderueshme të grave rhesus negative të cilat lindin një fëmijë rhesus pozitiv ndodh imunizimi rhesus, që mbart rrezikun e dëmtimit të fëmijëve të tjerë që do të lindin pas imunizimit. Për këtë arsye, rekomandohet përcaktimi i grupit të gjakut tek çdo grua shtatzënë (shtatzënia e parë), për të patur mundësinë e parandalimit të imunizimit përmes vaksinimit (imunoglobulina anti rhezus) dhe ndjekjes sa më rigoroze në rastet kur ai ndodh. Gratë rhezus negative duhet të identifikohen në mënyrë që t’u aplikohet immunoglobulina në javën e 28-30 të shtatzënisë dhe brenda 72 orëve të para pas lindjes.

Testet laboratorike gjatë shtatëzënisë

Analiza e gjakut – gjaku komplet, sideremia, ferritinemia

Kjo analizë vlerëson hematokritin, hemoglobinën dhe zbulon aneminë që në shtatzëni është e shpeshtë dhe që zakonisht i dedikohet mungesës së hekurit. Sideremia dhe ferritinemia janë dy ekzaminime laboratorike ndihmëse që vlerësojnë depozitat e hekurit në organizëm, duke ndihmuar në trajtimin e përshtatshëm të anemisë.

Këshillimi i prindërve para zhvillimit të procedurave diagnostike


Prindërit që marrin në konsideratë diagnozën para lindjes kanë nevojë për informacion që t’u japë atyre mundësinë të kuptojnë situatën dhe të japin (ose jo) leje për procedura diagnostike para lindjes. Këshillimi gjenetik para kryerjes së procedurave të tilla zakonisht synon:
•    Të përcaktojë mundësinë që fetusi do të jetë i prekur
•    Natyrën dhe pasojat e çrregullimit
•    Rreziqet dhe kufizimet e procedurave që do të kryhen
•    Kohën që nevojitet para sigurimit të një raporti mbi rezultatet e testit
•  Mundësinë e ndërlikimeve të procedurave si p.sh., dështimi i një përpjekje për përftimin e mostrës së duhur, ose rezultatet jopërfundimtare.
Zgjedhjet e veprimit mbi rezultatet jonormale diskutohen dhe theksohet se, kryerja e diagnozës para lindjes nuk i detyron prindërit në asnjë rrethanë që të ndërpresin shtatzëninë nëse zbulohet prania e një anomalie.

OBSTETRIKE – GJINEKOLOGJI

  OBSTETRIKE
   Keshillimi prekoncepsional

Këshillimi prekoncepsional nxjerr në pah përparësitë e shtatzënive të planifikuara dhe është shumë i rëndësishëm sepse zbulon rastet të cilët mund të përfitojnë nga trajtimi i hershëm, në termat e një shtatzënie të shëndetshme, si për nënën dhe për bebin.
Elementët më të rëndësishëm të këshillimit prekoncepsional janë:
Identifikimi i rreziqeve nëpërmjet vlerësimit të historisë riprodhuese, familjare dhe mjekësore të pacientes, ekspozimi ndaj medikamenteve dhe substancave të dëmshme dhe problemeve sociale, te çdo grua e cila mendon të ketë një shtatzëni.
Diskutimi në lidhje me ndërhyrjet e mundshme në shtatzëninë e ardhshme ndaj situatave të ndryshme shëndetësore.
Diskutimi i sëmundjeve gjenetike dhe referimi i çiftit për ekzaminime të mëtejshme nëse janë të nevojshme.
Diskutimi dhe vlerësimi i gjendjes së imunizimit të gruas (pacientet Rh negativ).
Ekzaminimet laboratorike të indikuara në varësi të gjendjes shëndetësore të gruas.
Këshillimi mbi ushqyerjen, burimet e acidit folik dhe shtesat vitaminike, nëse janë të nevojshme.
Diskutimi për kontracepsionin dhe planifikimin familjar.  

Wednesday, February 18, 2015