Saturday, February 21, 2015

Këshillimi dhe trajtimi i problemeve të menopauzës – një fillim i ri!


Menopauza është një pjesë e natyrshme e jetës së femrës. Duke ndërmarrë përpjekjet  duhura si dhe duke ndryshuar disa karakteristika në mënyrën e jetesës, dietën dhe aktivitetin fizik gratë mund të jenë të përgatitura për një cilësi jete më të mirë gjatë periudhës së menopauzës.
Edhe në epokën e internetit, ka mistere dhe dizinformacion rreth menopauzës. Ne ju ndihmojmë që të qartësoni faktet, duke ju sugjeruar dhe rekomanduar në lidhje me mënyrën e ushqyerjes, aktivitetin fizik, ndryshimet në mënyrën e jetesës si dhe duke ju ndihmuar të përballeni me ndryshimet hormonale dhe pasojat e tyre.
Gjatë menopauzës është e rëndësishme që gratë të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të identifikojnë rreziqet e mundshme ndaj shëndetit, përmes ekzaminimeve të tilla si mamografia dhe matja e densitetit kockor. Të gjithë këta ekzaminime synojnë identifikimin e dhe trajtimin e patologjive, për të minimizuar rreziqet dhe për një veprimtari jetësore aktive dhe të shëndetshme.

Cilat janë përfitimet e histeroskopisë?


Në krahasim me procedurat e tjera më invazive, histeroskopia ofron kohëqëndrim spitalor dhe rekuperim më të shkurtër, nevojë më e pakët për trajtimin e dhimbjeve, shmang heqjen e mitrës dhe kirurgjinë me bark të hapur.

Histeroskopia diagnostike dhe operative


Çfarë është histeroskopia?
Histeroskopia është një procedurë që lejon pamjen e brendshme të uterusit, për të diagnostikuar dhe trajtuar problemet e mundshme të kësaj hapësire. Histeroskopi është një tub i hollë i pajisur me një burim drite që futet në vaginë dhe më pas në brendësi të uterusit. Kjo procedurë mund të jetë diagnostike dhe operative. Histeroskopia diagnostike përdoret për diagnozën e problemeve të uterusit. Histeroskopia operative përdoret për korrigjimin e situatave jonormale të zbuluara gjatë histeroskopisë diagnostike. Përdorimet e histeroskopisë operatore janë: heqja e polipeve dhe fibroideve, aderencave (ngjitjeve në brendësi të hapësirës së mitrës), septumeve (perdeve ndarëse). Gjithashtu histeroskopia mund të ndihmojë në zbulimin e shkakut të hemorragjisë së çrregullt dhe hemorragjisë jonormale pas menopauzës.

Cilat gra janë më të rrezikuara për të patur rezultate anormale në Pap Test?


HPV: Faktori kryesor i rrezikut është infeksioni i HPV (Human Papilloma Virus). Mbi 95% e kancerit cervikal është i lidhur me këtë infeksion.
Duhani: Një faktor tjetër rreziku për ndryshimet premalinje të qafës së mitrës është duhanpirja. Shumë gra nuk e vlerësojnë faktin se pirja e duhanit është e lidhur ngushtësisht me kancerin cervikal, duke e rritur rrezikun 2-4 herë.
Dobësimi i sistemit imunitar: Gratë me dobësim të sistemit imunitar të organizmit janë më të rrezikuara për ndryshime prekanceroze në qafën e mitrës.
Medikamentet: Gratë nënat e të cilave kanë qënë të ekspozuara ndaj dietilstilbestrolit gjatë shtatzënisë janë gjithashtu të rrezikuara

Kush duhet të kryejë Pap Test?


Ky ekzaminim duhet t’u ofrohet të gjitha femrave 3 vjet pas fillimit të aktivitetit seksual ose jo më vonë se mosha 21 vjeç. Është një ekzaminim që duhet të kryhet çdo vit deri në moshën 30-vjeçare dhe, nëse kemi 3 rezultate të një pas njëshme normale, atëherë ai mund të kryhet çdo 2-3 vjet. Pap testi nuk kryhet në gratë të cilat kanë hequr mitrën bashkë me qafën e mitrës për arsye të tjera shëndetësore, si dhe në gratë në moshën mbi 70 vjeç me 3 rezultate normale të një pasnjëshme.

VIZITA DHE EKOGRAFIA GJINEKOLOGJIKE


Gjinekologjia është një specialitet që merret me shëndetin e sistemit riprodhues femëror (uterusi, vagina dhe vezoret), që synon vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të ndryshme të aparatit riprodhues. Kur diskutohet për problemet gjinekologjike, parandalimi është metoda më e mirë dhe më e sigurt dhe kjo mundësohet nëpërmjet planifikimit të vizitave vjetore me gjinekologun. Pothuajse të gjithë gjinekologët e kohëve të sotme janë gjithashtu edhe obstetër sepse midis këtyre dy specialiteteve ka shumë pika takimi.
Ekografia gjinekologjike vlerëson nga ana strukturale organet pelvike të femrës si uterusi, vezoret, tubat e Fallopit, fshikëzën e urinës si dhe çdo strukturë tjetër të kësaj pjese të trupit, qoftë normale apo patologjike. Imazhet ekografike mund të përftohen nëpërmjet sondës abdominale, zakonisht ne fshikëzën e urinës të mbushur (e cila shërben si një dritare akustike për një pamje më të mirë të organeve pelvike), ose nëpërmjet sondës vaginale, e cila ofron një rezolucion më të lartë të imazhit të përftuar. Ekzaminimi ekografik nuk është i dhimbshëm dhe as i dëmshëm.

Çfarë është aborti i përsëritur (rekurent)?


Aborti rekurent përkufizohet si humbja e 3 ose më shumë shtatzënive të njëpasnjëshme, para arritjes së jetueshmërisë së fetusit (22 javë). Ky problem prek 1% të gjithë grave. Faktorët etiologjikë të abortit rekurent, të përmbledhur shkurtimisht janë
•    Anomalitë anatomike të aparatit gjenital (anomalitë e hapësirës brenda uterusit)
•    Sindromi i antitrupave antifosfolipidë (Që shkaktojnë tendencë të rritur për koagulim të gjakut dhe formim trombesh)
•    Sëmundje sistemike të nënës (Diabeti i sheqerit, çrregullimet e tiroideve)
•    Histori për humbje të shtatzënisë gjatë tremujorit të dytë ose të tretë, si pasojë e plasjes së hershme të membranave ose dilatacioni i padhimbshëm i qafës së mitrës (pamjaftueshmëria cervikale)
•    Sëmundje infektive të nënës (Vaginoza bakteriale, apo infeksione të tjera)
•    Anomalitë familjare të koagulimit të gjakut (Faktori V Leyden)
•    Anomali të kariotipit të njërit apo të dy partnerëve
Duke marrë në konsideratë shkakësinë, që është mjaft e gjerë, edhe plani i menaxhimit të abortit rekurent konsiston në investigimin për zbulimin e faktorëve të mundshëm dhe më tej në trajtimin në varësi të shkakut.